11 milionë euro dëme u paguan për tre muaj

7:32 / 11 Korrik 2019

Vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti thotë se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën paraprake, ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve

Shuma të mëdha parash edhe më tutje vazhdojnë të paguhen nga kompanitë e sigurimeve për dëmet që shkaktohen nëpër aksidente të shumta të komunikacionit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind.  “Gjatë periudhës janar-mars 2019, janë paguar gjithsej 11.028.247 euro dëme ose 7.40% më shumë se  gjatë periudhës janar-mars të vitit 2018”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovë. Aty më tutje theksohet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-mars 2019 është ulur me 1,280 dhe arriti shifrën 33,816, nga të cilat 33,741 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 75 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

 

44 milionë euro janë kompensuar gjatë vitit 2018

Gjatë vitit që lama pas një shuma të konsiderueshme të mjeteve kompanitë e sigurimeve e kanë paguar për kompensimin e dëmeve. Sipas të dhënave të BQK-së shihet se shuma e dëmeve që janë kompensuar është mbi 44 milionë euro e që është shuma më e madhe e paguar deri më tash. “Gjatë periudhës janar – dhjetor 2018, janë paguar dëme gjithsej 44,112,734 euro ose 1.20% më shumë se gjatë janar – dhjetor 2017. Numri i dëmeve të paguara në periudhën janar – dhjetor 2018 është ulur për 542 dhe arriti shifrën 139,642 nga të cilat 139,356 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 286 nga kompanitë e sigurimit të Jetës “thuhet më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Përndryshe, kompanitë kosovare të sigurimeve, përgjatë periudhës 16 vjeçare, përkatësisht 2002-2018, kanë paguar rreth 400 milionë euro dëme të aksidenteve të ndryshme në komunikacion. Derisa pagesa e dëmeve që shkaktohen nga automjetet në komunikacion është rritur dukshëm,  nga industria e sigurimeve problem i madh vazhdon të mbetet numri i madh i veturave të pasiguruara që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat vlerësohet se shkaktojnë dëme dhjetëra milionëshe për sigurimet nga aksidentet e ndryshme. Sipas një analize të botuar në medie, nga viti 2002 deri në vitin 2018, kompanitë e siguruara kanë paguar dëme në vlerë mbi 40 milionë euro për dëmet që i kanë shkaktuar veturat e pasiguruara, pasi që vlerësohet se rreth 30 për qind e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Kosovë janë të pasiguruara.

 Guvernatori: Trend pozitiv në pagesën e dëmeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Dëmet e ndodhura të sektorit të sigurimeve me 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake “ka thënë ai.

FAKTE:

11,028,247 është shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019, apo 7,4 % më e lartë se në periudhën e njëjte të vitit paraprak.

44,112,734 euro është shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar vetëm gjatë vitit 2018. Në raport me vitin paraprak shuma e dëmeve të paguara ishte 1,2 për qind më e lartë.

Mbi 400 milionë euro është vlera e dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve nga vitit 2002 deri në fund të tre mujorit të parë të vitit 2019.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com
AL / EN