ORARI PUNËS 08.00-16.00

MIRË SE ERDHËT

(038) 225 678

info@shs-ks.com

Sheshi Nene Tereza,

34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës

Mehmeti: Tatimi në qarkullim e dëmtoi industrinë e sigurimeve

Mehmeti: Tatimi në qarkullim e dëmtoi industrinë e sigurimeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka theksuar se industria e sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme, kryesisht për shkak të tatimit në qarkullim prej 5 për qind për siguruesit dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara në vend

Sektori i sigurimeve të Kosovës ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme e ndikuar nga disa faktorë, si: Tatimi në qarkullim prej 5 për qind për siguruesit, si dhe dëmet që janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara. Kështu ka theksuar gjatë një interviste guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se megjithatë gjatë dy viteve të fundit ka përmirësim të dukshëm të performancës së këtij sektori.

Gjatë kësaj interviste, Mehmeti ka folur edhe për dëmet e paguara nga industria e sigurimeve, ku, sipas tij, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti dëmet e paguara bruto arrijnë shumën e përgjithshme prej 11 milionë euro, përderisa shuma e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe ka arritur në 11.2 milionë euro.

Guvernator si e vlerësoni performancën e kompanive të sigurimeve në tre mujorin e parë të vitit 2019, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjte të vitit të kaluar?

Mehmeti: Sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve vlen të theksohet tatimi në bruto primin e shkruar, apo tatimi në qarkullim prej 5% për siguruesit, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, kjo si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve deri më 31 mars 2019 janë në shumë prej 144 mijë euro, që janë më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Insig” e humbi aftësinë paguese

Bordi i BQK-së ka marr vendim që t’i merret licenca kompanisë së sigurimeve “Insig”. Pse është marrë një vendim i tillë?

Mehmeti: Duke u mbështetur në pasqyrat financiare të siguruesit në fjalë, është konstatuar që Siguruesi “Insig” ka qenë në mungesë të parave të gatshme në emër të plotësimit të kapitalit minimal dhe të aftësisë paguese të kërkuar me legjislacionin në fuqi. Përveç mungesës së konstatuar të kapitalit dhe aftësisë paguese, siguruesi ka qenë edhe në deficit të aseteve në mbulim të provizioneve teknike.

Rrjedhimisht, Siguruesi nuk i ka përmbushur kërkesat minimale ligjore në raport me mjaftueshmërinë e kapitalit, aftësinë paguese (solvencën) dhe asetet në mbulim të provizioneve teknike. Mungesa e kapitalit, aftësisë paguese dhe aseteve të mjaftueshme në mbulim të provizioneve teknike, në mënyrë të vazhdueshme paraqesin shkelje  ligjore dhe rregullative, të cilat kanë cenuar stabilitetin financiar të siguruesit dhe interesat e policëmbajtësve. Me datë 26 prill 2019, duke u bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12 si dhe nenin 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe në pajtim me nenin 16 paragrafi 2, nenin 99 paragrafi 6, nenin 100 paragrafi 1 dhe nenin 124 paragrafi 3, nënparagrafi 3.6 të Ligjit Nr.05/L-045 për Sigurimet,Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Siguruesit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca.

A janë të garantuar të gjithë klientët e kësaj kompanie dhe si do të veproj BQK në lidhje me këtë rast?

Mehmeti: Sipas vendimit të marrë, janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, ku është emëruar edhe likuidatori, i cili do ta drejtojë Siguruesin “Insig” në likuidim. Likuidatori do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve.

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave, në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë, likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë me qëllim të kompensimit të dëmeve të tyre.

A rrezikon edhe ndonjë kompani tjetër e sigurimeve ta humb licencën, apo të gjitha i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga BQK?

Mehmeti:Sikurse jeni në dijeni, BQK-ja në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, është e përkushtuar maksimalisht për të siguruar përputhje dhe pajtueshmëri të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për të përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së. Andaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, BQK-ja mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të sistemit financiar në vend, duke i siguruar ekonomisë së vendit një sistem financiar në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe një sistem që ofron siguri për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Trend pozitiv në pagesën e dëmeve

Sa është shuma e dëmeve të paguara në tre mujorin e parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve dhe a ka vonesa në këtë drejtim?

Mehmeti: Bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Dëmet e shkaktuara ndaj sektorit të sigurimeve më 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro, që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%.

Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, krahasuar me periudhën paraprake, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve.

Kompanitë e sigurimeve kanë dalë me ofertë konkrete edhe për sektorin e bujqësisë. Si e vlerësoni ju një vendim të tillë?

Mehmeti: Sektori i bujqësisë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë. Është njëri nga kontribuuesit kryesor të rritjes ekonomike në vend, pas tregtisë me shumicë dhe pakicë. Përtej kësaj, përkrahja për bujqësinë është çështje sociale duke pasur parasysh që veprimtaria bujqësore është mjaft e përhapur në Kosovë si burim jetese për shumicën e popullsisë. Pavarësisht rritjes së eksporteve bujqësore, tregtia e jashtme në bujqësi karakterizohet me një deficit të madh tregtar.

Për këtë arsye, institucionet relevante dhe institucionet financiare në Kosovë janë duke i dhënë rëndësi zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm, duke ndryshuar qasjen e tyre dhe duke zhvilluar produkte të reja të cilat pasqyrojnë më mirë nevojat dhe specifikat e prodhuesve bujqësorë. Këto ndryshime kanë përfshirë futjen e kredive me afate fleksibile të pagesës, grejs periudha, kërkesat më të lehta për kolateral, afate të zgjatura, dhe anulimin e taksave të lëshimit të kredisë.

Me qëllim të përkrahjes së mëtejme të sektorit të bujqësisë, gjatë këtij viti Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka filluar me aplikimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, me anë të të cilit kjo ministri do të ofrojë subvencione për premitë e sigurimit bujqësor prej 50%, me qëllim të mbështetjes së fermerëve për të siguruar humbjet e mundshme të produkteve bujqësore.

Përmes këtij sistemi tashmë në formë të organizuar do të mbrohet puna dhe të ardhurat e fermerëve, që mund të rrjedhë nga humbjet eventuale të prodhimit ose cilësisë së produkteve bujqësore. Gjithashtu, me anë të këtij sistemi synohet edhe rritja e nivelit të qasjes në financa për sektorin e bujqësisë dhe me këtë edhe rritja e prodhimtarisë bujqësore në vend, që do të ndikojë në rritjen e eksportit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bazuar në këtë, sektori i sigurimeve në Kosovë, përveç zgjerimit të gamës së produkteve vullnetare dhe zgjerimit të aktivitetit të saj, do të krijojë edhe një sistem duke rezultuar përfitues për të gjithë sektorët e ndërlidhur – bankat të rrisin kreditimin e bujqësisë duke përdorur sigurimin e produkteve bujqësore si një mjet për të ulur rrezikun kreditor, fermerëve duke ju lehtësuar qasja në financimin e këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tij.

Është thënë më herët se kompanitë e sigurimeve janë të vetmet që paguajnë tatim ekstra. A prisni që Kuvendi së shpejti ta heq një tatim të tillë?

Mehmeti: Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, çështja e tatimit në qarkullim kundrejt sektorit të sigurimeve prej 5% nuk është në kuadër të kompetencave të BQK-së. Megjithatë, BQK-ja është angazhuar dhe ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sikurse jeni në dijeni, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, me të cilin është adresuar edhe çështja e mënyrës së tatimit të sektorit të sigurimeve dhe presim shumë shpejt që ky Ligj do të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës. Pra, me Ligjin e ri, sektori i sigurimeve do të tatohet në të njëjtën mënyrë sikurse të gjithë sektorët e tjerë.

Rritja e industrisë së sigurimeve gjatë viteve të fundit

Cili është kontributi i industrisë së sigurimeve në sektorin financiar të Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit?

Mehmeti: Industria e sigurimeve në Kosovë është në vitin e 19-të të funksionimit të saj dhe si e tillë përgjatë kësaj periudhe ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtyre viteve kjo industri ka shënuar rritje, si në aspektin e rritjes e numrit të kompanive të sigurimeve, ashtu edhe  bruto primeve të shkruara, si dhe në përgjithësi rritjes në aspektin e aseteve të përgjithshme të industrisë së sigurimeve në vend.

Gjatë këtyre viteve të zhvillimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë është arritur të plotësohet mjaft mirë platforma e produkteve të sigurimeve që i nevojiten një ekonomie, prandaj mund të themi se ky sektor është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe rrjedhimisht, përmirësimin e ambientit për të operuar në ekonominë e Kosovës. Megjithatë, pjesëmarrja prej 3 përqind e tregut të sigurimeve në totalin e sistemit financiar të vendit vazhdon të mbetet në nivel të ulët me hapësirë të lartë për rritje dhe zgjerim të këtij sektori. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është dhe vazhdon të angazhohet për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, por nevojitet aktivitet i shtuar edhe nga industria për ta rritur edukimin financiar të publikut për sa i përket produkteve që ofron industria e sigurimeve.

Vendimi i Kushtetueses për Kryqin e Kuq duhet respektuar

Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka shfuqizuar një nen të ligjit për Kryqin e kuq, nen ky i cili obligonte kompanitë e sigurimeve që 1 për qind të primit t’ia ndajnë Kryqit te kuq ?

Mehmeti: BQK-ja është informuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e paragrafit 1.7 të nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, duke u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese se nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e Përgjithshme) si dhe nenin 46 (Mbrojtja e Pronës) të Kushtetutës.

Vendimet e Gjykatës dhe organeve tjera gjyqësore janë obligative dhe të zbatueshme për BQK-në dhe si të tilla duhet respektuar.