Së shpejti do të kemi udhëzim administrativ për heqjen e pagesës së tatimit, që është kusht për regjistrimin e automjeteve

Përfaqësues të Ministrisë së Financave kanë thënë se së shpejti pritet udhëzimi administrativ për heqjen e pagesës së tatimit, që ishte si kush për regjistrimin e automjeteve. Por, në anën tjetër përfaqësuesit e komunave po vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë nismë. Sipas tyre kushtëzimet janë treguar efikase për të inkasuar tatimin në pronë

Qytetarët e Republikës së Kosovës për t’iregjistruar veturat në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, janë të obliguar të paguajnë edhe tatimin në pronë. Ky kusht po shihet si shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, sepse është vlerësuar se Republika e Kosovë ka mënyra tjera për t’i arkëtuar mjetet e tatimit në pronë për qytetarët e Kosovës. Lidhur më këtë, Avokati i Popullit, në vitin 2017 ka dërguar në Ministrinë e Financave një raport me rekomandime, me të cilin ka këshilluar Ministrinë e Financave ta ndryshojë Udhëzimin Administrativ nr. 07/2011 për urdhëresat e ndalimit të shërbimeve komunale për detyrimin e pagesës së tatimit në pronë: a) duke e fshirë pikën 1.3 të paragrafit 1 të nenit 2; b) duke e fshirë paragrafin 2 të nenit 2; dhe c) duke e fshirë fjalinë e fundit nga paragrafi 1 i nenit 5, “Komuna nuk duhet t’i kryej këto shërbime përderisa nuk është paguar tatimi në pronë.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Financave kanë thënë se e kanë shqyrtuar raportin e Avokatit të Popullit lidhur me këtë çështje dhe janë në procesin e nxjerrjes së një Udhëzimi  Administrativ të ri. “Kemi shqyrtuar rekomandimet e Avokatit të Popullit të dhëna në raportin e vitit 2017 lidhur me çështjen e theksuar dhe jemi në procesin e nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ të ri”, thuhet në përgjigjen e MF-së, ka raportuar “Front Online”. Nga kjo Ministri kanë bërë të ditur se gjithashtu janë duke e hartuar edhe Ligjin e Ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. “Në vitin 2018 kemi nxjerr Ligjin e Ri Bazik që rregullon fushën e tatimit në pronë, i cili reformon në masë të madhe procesin e tatimit në pronën e paluajtshme dhe tani jemi në procesin e kompletimit të legjislacionit sekondar”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Kundër shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ që është në fuqi, i cili i obligon qytetarët ta paguajnë tatimin në pronë me rastin e regjistrimit të veturave, janë shprehur drejtorët e Drejtorive të Financave në Komunat e Kosovë, në kuadër të cilave është edhe pagesa e tatimit në pronë. Drejtori i Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Mitrovicës, Shukri Gashi, për “FrontOnline” u shpreh:  sikur qytetarët e Kosovës do t’i paguanin detyrimet e tyre pagesa e tatimit  nuk do të duhej të ishte kusht. “Nëse qytetarët e Kosovës do të kishin qenë më të përpiktë për të gjitha pagesat, kjo nuk ish dashtë me qenë si kusht. Të gjithë kanë para me pagu veturën, por thonë se nuk kemi para me paguar tatimin në pronë. Për mendimi tim vetura është mëllukës se shtëpia. Mendimi im është sikur qytetarët, por edhe unë të kishim qenë më të vetëdijshëm se tatimin në pronë dhe detyrimet tjera me i pagu, nuk ish dashtë me qenë kjo si kusht”, tha ai për “Front Online”. Ndërsa, drejtori i Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Vushtrrisë, Lutfi Gërguri, tha se në rast se shfuqizohet udhëzimi administrative i cili i obligon qytetarët ta paguajnë tatimin në pronë për t’i regjistruar veturat, do të jetë rrezik për të hyrat e Komunës. “Unë mendoj se nuk duhet me u largu pasi që me lënë ashtu qytetarëve vetëm po u grumbullohen borxhet. Me u largu ky detyrim është rrezik me ra të hyrat e Komunës, dhe në rast se hiqet kjo ne duhet qët’idetyrojmë me përmbarues dhe kjo është me e rrezikshme për qytetarët”, u shpreh ai për Front Online.

Deri më 31 gusht të këtij viti, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte hequr kushtin e pagesës së tatimit në pronë për shkak të radhëve të gjata para komunës në kohë pandemie me Covid-19. Por, ai në një paraqitje të tij vlerësoi se pagesa e tatimit në pronë në këtë formë është mënyra më efikase për ta mbledhur tatimin në pronë e që është pjesë e rëndësishme për komunën e Prishtinës ngase mblidhen gati 10 milionë euro në vit.

 

 

 

Barra milionëshe e Komunave për qytetarët e Kosovës

Çdo vit në Kosovë regjistrohen rreth 356 mijë automjete, me ç’rast është vënë kusht që për secilën prej tyre për regjistrim duhet marrë edhe vërtetimi për Tatimin në pronë, shërbim ky që qytetarët paguajnë nga 10 euro në Komunat e tyre. Sipas një llogaritje të thjeshtë del se vetëm për t’u pajisur me një vërtetim të tillë, për të cilin Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka vlerësuar se është i padrejtë, qytetarët paguajnë rreth 4 milionë euro në vit.  Gjithë kjo pa e llogaritur edhe ndërrimin e pronësisë së automjeteve, ku sipas Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, janë rreth 95 mijë automjete që çdo vit ndërrojnë pronësinë, me ç’rast dëmi financiar që u faturohet qytetarëve nga Komunat e Kosovës shkon në rreth 15 milionë euro.

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku në një intervistë për EO ka thënë se kanë kërkuar që këto kushtëzime të hiqen. Lidhur me këtë, ai ka dërguar edhe një ankesë në zyrën e Avokatit të Popullit, për të cilën ka thënë se kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me Kushtetutën. “Ne si Shoqatë kemi marrë një iniciativë që kushtëzimet të hiqen njëherë e përgjithmonë. Lidhur me këtë kam bërë një ankesë te Avokati i Popullit, të cilën e kam arsyetuar që kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me kushtetutën dhe kjo është në interes të qytetarëve që të hiqen për shkak se e lehtëson procedurën për regjistrimin e automjeteve”. Më tutje ai sqaron se, pas dorëzimit të kësaj ankese ka pranuar një njoftim për pranueshmëri, e sipas praktikën rastet që kanë bazë për hetim dhe procedurë të mëtutjeshme, Avokati i Popullit e lëshon një njoftim paraprak që lënda pranohet apo nuk pranohet.
Mazreku ka sqaruar se ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të bëhet ndryshimi i Ligjit të Automjeteve, duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët të mos e kenë kusht kryerjen e disa obligimeve. Ai tha se kanë kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. “Ne kemi kërkuar që të bëhen disa ndryshime duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët të mos e kenë më kusht kryerjen e disa obligimeve, mirëpo kjo nuk nënkupton që të mos paguhen taksat dhe gjobat, por jo të kushtëzohet me regjistrimin e automjeteve. Pastaj kemi kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. Varësisht prej kohës së mbetur kemi mundësi që pjesën e bartjes së pronës ta bartim tek pronari i ri apo të kthehet, sepse rreth 95 mijë automjete çdo vit e ndërrojnë pronësinë dhe nëse e bëjmë llogarinë e thjeshtë, i bie që dëmi aktual është 15 milionë euro që bëhet në dëm të qytetarëve”.

Rreth 140 mijë automjete të paregjistruara në rrugët e Kosovës, ky është projekt-propozimi për uljen e këtij numri

Vlerësohet se rreth 140 mijë automjete të paregjistruara/siguruara qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat u shkaktojnë dëme milionësh kompanive të sigurimeve, por edhe buxhetit të Kosovës.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), 4.4 milionë euro dëme kanë paguar kompanitë e sigurimeve gjatë vitit 2019 për automjetet e paregjistruara. Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Sami Mazreku, në janar të këtij viti ka përgatitur një projekt propozim për uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara, të cilat çdo vit i shkaktojnë dëme milionëshe industrisë së sigurimeve, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij dokumenti,
ulja e numrit të mjeteve motorike të paregjisturara dhe të pasiguruara mbetet sfidë e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe palëve të tjera të interesit, siç janë kompanitë e sigurimit. Ky shqetësim, në mënyrë të drejtpërdrejt prek disa institucione për të cilat sipas legjislacionit në fuqi, burojnë të drejta dhe autorizime ligjore për të trajtuar dhe rregulluar çështjen problematike në fjalë. Ajo që duhet vlerësuar paraprakisht është, adekuatshmëria e masave që institucionet dhe palët që janë të autorizuara kanë të drejtë të ndërmarrin për të trajtuar në mënyrë të duhur këtë dukuri. Ndër institucionet me kompentecë për trajtimin e kësaj dukurie, respektivisht regjistrimit të mjeteve motorike në qarkullim rrugor është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkaq kjo çështje me efekt të drejtpërdrejtë prek mbikëqyrjen dhe funksionimin që ka institucioni i Bankës Qendrore të Kosovës, Byrosë Kosovare të Sigurimit si dhe kompanvie të sigurimit Jo jetë në Republikën e Kosovës.

Në avokim të respektimit të ligjeve të zbatueshme dhe avancimin e tyre, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka luajtur dhe në vazhdimësi do ta luajë rolin e saj për të rritur vetëdijësimin e policëmbajtësve, respeketivisht të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për rëndësinë e sigurimeve në përgjithësi si dhe efektet nga realizimi dhe humbja e të drejtave që mund të derivojë si pasojë e mos regjistrimit dhe mos sigurimit të mjeteve motorike. “Mobilizimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të gjithë akterët e sipërpërmendur, për të ndërmarrë masa dhe hapa konkret në uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjisturara dhe të pasiguruara, të cilat si fillim do të mundohemi t’i shtjellojmë e pastaj nga grupet punuese të cilat mund të formohen nga Banka Qendrore e Kosovës do të trajtohen më detajisht, për të arritur rezultatet e nevojshme”, thuhet mes tjerash në këtë projekt propozim.

Ky projekt propozim për uljen e numrit të automjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara është i ndarë në tri faza:

Faza 1

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për hartimin e një udhëzimi adminsitrativ për implmentim e dispozitës së nenit 3, pikës 48 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet, ku është dhënë përkufizimi dhe rastet e caktuara kur një mjet motorik mund të trajtohet si mjet jashtë përdorimit, e cila përcakton si vijon: – “mjet jashtë përdorimit konsiderohet çdo mjet (përveç mjetit muzeor), i cili nuk arrin t’i korrigjojë defektet në një afat 60-ditor për t’i përmbushur kushtet e rregullsisë teknike, apo vetëdeklarohet si mjet i paaftë për qarkullim në rrugë me rastin e çregjistrimit, apo mbetet i paregjistruar më gjatë se dy (2) vjet. Ndërkaq, sipas nenit 65 të po këtij ligji, përcaktohet si në vijim: “Në rast se një mjet motorik plotëson njërën nga këto kushte, atëherë sipas Nenit 65 të këtij Ligji pronari detyrohet që të paraqesë dëshminë e asgjësimit të mjetit motorik me rastin e çregjistrimit të tij.” Sipas këtyre dispozitave ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të nxjerrte udhëzimin administrativ që është propozuar, për të trajtuar mjetet motorike të cilat sipas evidencave të Qendrës për Regjsitrimin e Automjeteve nuk kanë vazhduar regjistrimin për më shumë se dy vjet, duke i larguar ato mjet si të rregullta apo nga e drejta për qarkullim rrugor.

 Faza 2

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë veprimet e ngjashme sikur në fazën 1, duke miratuar udhëzim administrativ të veçantë për regjistrimin e mjeteve motorike për të cilat nuk zbatohet neni 65 i Ligjit për Automjetet (përfshirë neni 3 pika 48 e Ligjit).

Në rastet kur nga pronari i mjetit motorik nuk vazhdohet regjistrimi në kohë, por kjo nuk e arrin periudhën e mosregjistrimit prej dy vitesh, sipas udhëzimit administrativ duhet të parashihen masa të caktuara nën periudhat e ndryshme kur ky detyrim përmbushet nga pronari, duke synuar çdo herë edukimin e pronarëve të mjeteve motorike dhe jo ndëshkimin financiar të qytetarëve.

 Faza 3

Për mjetet motorike të cilat janë jashtë përdorimit, qytetarët do të jenë subjekt i gjobave dhe do të jenë të detyruar që të ç’lajmërojnë këto mjete, ashtu që në regjistrat zyrtar të kemi numrin real të mjeteve pa regjistrim dhe kështu, kampanjat e përbashkëta do të jenë të fokusuara në këtë drejtim.

Vlerësimi i bazës ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete është i nevojshëm për të mundësuar dhënien e kompetencave Policisë së Kosovës, për sekuestrimin e mjeteve motorike të cilat nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (MTPL). Në anën tjetër, heqja e çdo kufizimi apo takse shtesë në proceduren e regjistrimit të mjeteve motorike, siç janë taksat komunale, pagesat e gjobave, ndërrimi i pronësisë etj., është e domosdoshme dhe e ligjshme dhe kjo nuk duhet trajtuar si lehtësim për qytetarët por si e drejtë ligjore e kushtetuese, për të cilën është deklaruar edhe Avokati i Popullit në trajtimin e ankesës së paraqitur nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës gjatë vitit 2019.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjsëia, institucioni i autorizuar për të kontrolluar nëse mjetet motorike në qarkullim kanë kontraktuar sigurimin e detyueshëm nga autopërgjegjësia është Policia e Kosovës, të cilës duhet dhënë përkrahjen e nevojshme për të arritur objektivat dhe qëllimet e saj në këtë drejtim.

Ndryshimi i pjesshëm i legjislacionit që do t’i mundësonte Policisë së Kosovës konfiskimin e mjeteve motorike që nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm si dhe nuk janë regjistruar, ngase aktualisht një veprim i tillë nuk është i mundur të kryhet nga Policia e Kosovës, ndërsa në vendet e rajonit kjo është një praktikë lehtësisht e aplikueshme. Konfiskimi në fjalë, nënkupton konfiskimin e përkohshëm të mjetit motorik deri në përmbushjen e detyrimeve lidhur me regjistrimin dhe sigurimin e mjetit motorik, ose ç’lajmërimin nga regjistri të mjetit motorik, pas kalimit të një afati optimal të caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, por jo më shumë se 30 ditë nga dita e konfiskimit të përkohshëm. Ndërkaq, monitorimi i vazhdueshëm i këtij procesi nga Policia e Kosovës do të jetë edhe më i lehtë me nxjerrjen e udhëzimeve administrative të propozuara si më sipër, duke qenë se listat nën të cilat kryhen verifikimet do të jenë më të sakta dhe më drejtë do të paraqesin të dhënat mbi mjetet motorike pa regjistrim të cilat mund të jenë në qarkullim. Nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës për Policinë e Kosovës do të dhurohet një pajisje elektronike përmes së cilës do të kenë mundësi të identifikojnë në mënyrë automatike e të digjitalizuar mjetet motorike pa regjistrim, në zonën ku kryhet kontrolli përkatës. Ky do të jetë një pilot-projekt në bazë të të cilit do të vlerësohet efikasiteti i këtij procesi, ndërkaq do të vlerësohet dhe nevoja për mbështetje të shtuar Policisë së Kosovës në uljen e numrit të mjeteve motorike pa regjistrim. Me Policinë e Kosovës do të bashkëpunohet për krijimin e aplikacionit për markimin e hartës së aksidenteve, identifikimin e “pikave të zeza” ku qytetarët do të kenë mundësinë e njoftimit për rrezikshmërinë e rrugës së caktuar dhe informacionet shtesë mbi numrin e aksidenteve, lëndimeve etj.

Nismat legjislative të inicuara nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës

Gjatë dy viteve të fundit, duke vepruar brenda autorizimeve dhe kompetencave të saj, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka inicuar disa nisma legjislative për rregullimin e legjislacionit në fuqi. Në çdo kuartal janë mbajtur tryeza me partnerë të ndryshëm në adresimin e çështjeve me rëndësi për sigurimet dhe publikun, në baza mujore janë publikuar materiale informuese “iSigurimet” mbi industrinë e sigurimeve në përgjithësi, duke publikuar kështu shifra të sakta mbi numrin e mjeteve motorike të paregjistruar (e vlerësuar në nivel prej 30%), shumat e dëmeve të paguara ndër vite, dëmet e ndodhura si dhe shumë informacione të tjera me rëndësi. Shqetësimet e industrisë së sigurimeve janë paraqitur edhe në shumë emisione televizive si dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku çështjet e kushtëzimit të qytetarëve përmes pagesës së taksave të ndryshme janë trajtuar edhe brenda këtij institucioni, si dhe çështje të ndryshme të cilat janë ndjekur gjatë kësaj periudhe. Me qëllim të avancimit të industrisë së sigurimeve në Kosovë dhe ruajtjes së stabilitetit financiar të sigurimeve në vend, duke punuar në lehtësim të sfidave të cilat ka Kosova dhe institucionet përkatëse, si Byroja Kosovare e Sigurimit në anëtarësimin e saj në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel, është e domosdoshme që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkërisht në arritjen e qëllimeve si më sipër.

Banka Qendrore e Kosovës si institucion licencues, mbikëqyrës dhe rregullues i industrisë së sigurimeve mund të japë kontribut të çmuar në adresimin e çështjeve pranë institucioneve tjera shtetërore, si Ministria e Punëve të Brendshme, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, Policia e Kosovës, Byroja Kosovare e Sigurimit dhe institucione të tjera. Ky bashkëpunim mund të formalizohet përmes ngritjes së një grupi punues nga Banka Qendrore e Kosovës, ashtu që të gjitha institucionet relevante të mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës në vazhdimësi do të kryejë funksionin e saj në ofrimin e ekspertizës në të gjitha çështjet e ngritura përmes kësaj shkrese, duke pasur në fokus dhe edukimin dhe vetëdijësimin e qytetarëve për aksidentet në komunikacion rrugor, të drejtat dhe detyrimet nga kontratat e sigurimit si dhe informimin e përgjithshëm mbi produktet e sigurimeve. Ne do të jemi të gatshëm në çdo kohë, me përgjegjësi të plotë dhe shkallë të lartë të profesionalizmit të marrim pjesë në çdo iniciativë të filluar nga Banka Qendrore e Kosovës për të realizuar qëllimet e përbashkëta, në mbrojtje të interesave të policëmbajtësve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe në avancimin dhe zhvillimin e industrisë së sigurimeve në vend.

Komunat, me rastin e regjistrimit të automjeteve, qe një vit shkelin kërkesën e Avokatit të Popullit për moskushtëzim të pagesës së tatimit në pronë

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, përmes një shkrese i është drejtuar Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, Hilmi Jasharit, nga i cili ka kërkuar inicimin e procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, përkatësisht pezullimin e shërbimeve komunale me të cilat kushtëzohet regjistrimi i automjeteve.

Kjo kërkesë që mban datën 24 qershor 2019, sipas Mazrekut, dispozita aktuale e Ligjit cenon të drejtat e njeriut në shfrytëzimin e shërbimeve komunale, të cilat janë të barabarta për të gjitha palët pa dallim.

“Jam i vetëdijshëm dhe e kuptoj që obligimet tatimore duhet t’i përmbush secili individ, mirëpo veprimi institucional në drejtim të pezullimit të shërbimeve komunale, nëse ekzistojnë obligimet tatimore të papaguara, përbën shkelje të të drejtave të njeriut lidhur me shfrytëzimin e shërbimeve komunale. Aq më tepër, ky veprim është i papranueshëm kur kemi parasysh se për shërbime komunale subjektet duhet të paguajnë taksën, e cila është e paraparë në aktet e brendshme komunale, prandaj kushtëzimet e tilla përbëjnë shkelje”, thuhet mes tjerash në letrën e Mazrekut drejtuar Avokatit të Popullit.

Komunat mund t’i realizojnë obligimet tatimore përmes përmbarimit

Sipas Mazrekut, “nëse analizohet me kujdes neni 30 i po këtij Ligji vërehet që Komuna mund të bëjë propozim për përmbarimin e obligimeve tatimore të papaguara. Prandaj nëse ligji ka lënë mundësi që Komuna mund t’i realizojë obligimet tatimore përmes përmbarimit, atëherë kushtëzimi i realizimit të shërbimeve komunale është i papranueshëm”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

Në anën tjetër, në Raportin e Avokatit të Popullit lidhur me kushtëzimin për regjistrimin e automjeteve pa paguar gjobat është konstatuar se kushtëzimet e kësaj natyre përbëjnë shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Rasti i kushtëzimit me pagesën e detyrimeve të tatimit në pronë është identik me atë të kushtëzimit për mosregjistrimin e mjetit motorik për shkak të mospagesës së gjobave të komunikacionit, e të cilat sipas Ligjit kanë titull ekzekutiv dhe të njëjtat mund të përmbarohen”, shkruhet në letrën e Mazrekut.

Kushtëzimet, shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutë

Sipas drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, çështja shqetësuese dhe problematike në këtë rast është se Ministria e Punëve të Brendshme, duke kërkuar dëshminë e pagesës së taksës komunale, në mënyrë të drejtpërdrejtë Komunat përkatëse janë duke detyruar dhe kushtëzuar qytetarët me pagesën e tatimit në pronë, në mënyrë që të lëshojnë dëshminë mbi pagesën e taksës komunale. Ky kushtëzim është përshkallëzuar edhe më shumë në aspektin negativ, pasi që, sipas Mazrekut, Komuna të caktuara janë duke mbledhur edhe detyrimet e pagesës së mbeturinave, ujit etj., e cila edhe më shumë rëndon pozicionin e qytetarit me rastin e regjistrimit të mjetit motorik.

“Pra kushtëzimi i pagesës së një mori taksash për të regjistruar mjetin motorik, të cilat si procese nuk kanë asnjë ndërlidhje ndërmjet tyre, paraqet shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, shkruan Mazreku.

Prandaj, Mazreku ka kërkuar nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, që t’i rekomandojë Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojë dhe ta plotësojë Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht ta fshijë nenin 29 të këtij Ligji, i cili përcakton mundësitë e Komunave që t’i pezullojnë shërbimet komunale ndaj personave që i kanë të papaguara obligimet tatimore ndaj komunave.

  Avokati i Popullit e pranon kërkesën

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, rreth një muaj më vonë, përkatësisht më 11 korrik 2019 i dërgon Mazrekut duke e njoftuar për pranimin e kërkesës së tij.

Sipas këtij njoftimi, Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të nenit 21.1. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka shqyrtuar ankesën tuaj, të paraqitur me 24.06.2019, lidhur me pohimet për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe në pajtim nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara.

“Institucioni i Avokati të Popullit, në bazë të nenit 39 të Rregullores së punës, nr. 02/2016 të Institucionit të Avokatit të Popullit, ankesën tuaj e ka regjistruar në regjistrin e të dhënave me këtë numër: ankesa nr. [534/2019]. Në rast se kontaktoni me Institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me ankesën tuaj, si dhe në rast të letërkëmbimit, Ju lutemi t’i referoheni numrit të ankesës suaj. Ju duhet të bashkëpunoni dhe t’u përgjigjeni kërkesave të Institucionit të Avokatit të Popullit për informacione, dokumente apo sqarime shtesë. Dështimi për bashkëpunim mund të konsiderohet si humbje e interesimit tuaj për trajtimin e ankesës dhe si rrjedhim mund të mbyllet hetimi për rastin tuaj. Ky njoftim është bërë në bazë të nenit 21.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, nr. 05/L-0 19”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari.

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson lart sektorin financiar në Kosovë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve në Kosovë për vitin 2020, ku është dhënë vlerësim i lartë për sistemin financiar të vendit. Raporti thekson faktin se Kosova ka një ekonomi të tregut të hapur dhe tregu përcakton normat e interesit. Aty theksohet se sistemi rregullator përputhet me direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, nuk ka kufizime përtej kërkesave normale rregullatore në lidhje me burimin e kapitalit, përshtatshmërinë dhe aftësinë e investitorëve dhe se BQK-ja ka marrë të gjitha masat e kërkuara për të përmirësuar politikat për rrjedhën e lirë të burimeve financiare. Në raport është theksuar edhe qëndrueshmëria e sektorit bankar, i cili mbetet mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës. Kushtet e vështira ekonomike, zbatimi i dobët i kontratës dhe sjellja e paqartë ndaj rreziqeve kanë kufizuar aktivitetet e huazimit të bankave, megjithëse përmirësimi i dukshëm ndodhi në vitet e fundit. Në shkurt të vitit 2020, norma e kredive joperformuese ishte 2.5 përqind, niveli më i ulët në dhjetë vitet e fundit. Normat e interesit kanë rënë ndjeshëm në vitet e fundit, nga një mesatare prej rreth 12.7 përqind në vitin 2012, në një mesatare prej 6.3 përqind në vitin 2020. Kreditimi më i ngadaltë është i dukshëm në pjesën veriore të Kosovës për shkak të një gjyqësori të dobët, aktiviteteve informale të biznesit dhe më pak të kualifikuar huamarrësit. BQK-ja është përgjegjëse për nxitjen e zhvillimit të praktikave konkurruese, të shëndosha dhe transparente në sektorin bankar dhe financiar. BQK-ja mbikëqyr dhe rregullon sektorin bankar të Kosovës, industrinë e sigurimeve, fondet e pensionit dhe institucionet mikrofinanciare. BQK-ja gjithashtu kryen detyra të tjera standarde të bankës qendrore, duke përfshirë administrimin e parave të gatshme, transferimet, pastrimin, menaxhimin e fondeve të depozituara nga Ministria e Financave dhe institucione të tjera publike, mbledhjen e të dhënave financiare dhe menaxhimin e Regjistrit të Kredive. Raporti thekson se bankat dhe degët e huaja mund të kryejnë operacione në vend, duke iu nënshtruar të njëjtave kërkesa dhe rregullore licencimi si bankat vendase. Vendi nuk ka humbur asnjë marrëdhënie bankare korrespodente në tre vitet e fundit dhe asnjë marrëdhënie e tillë aktualisht nuk është në rrezik. Nuk ka kufizime në hapjen e llogarive bankare nga të huajt, ata mund ta bëjnë këtë me dorëzimin e dokumentacionit të vlefshëm të identifikimit. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh vlerësimin më të lartë për raportin që ka të bëjë me pjesën e sektorit financiar dhe shpreh falënderimin më të sinqertë për Departamentin Amerikan të Shtetit për vlerësimin real të sektorit financiar nëKosovë dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë që nga fillimi, dhe vazhdon t’i japë BQK-së në zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com