Automjetet e pa regjistruara alarmojnë Institucionet

6:41 / 30 Korrik 2018

Rritja enorme e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë, po i shkakton dëme të mëdha buxhetit të shtetit, por edhe kompanive të sigurimeve që operojnë në tregun kosovar.

Ky ishte konkludim i përbashkët i pjesëmarrëseve në tryezën e organizuar nga “Shoqata e Sigurimeve e Kosovës”, në të cilën morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës z. Izmi Zeka, zëvendësministri i Financave z. Fatmir Gashi, znj. Ramize Ramadani – u.d. Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve nga Banka Qendrore e Kosovës, znj. Sebahate Muharremi – Drejtore e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve – ARC, Feriz Lahu nga Policia e Kosovës, Blerim Pushkolli – drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Besarb Blakaj – Kryetar i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku – Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, si dhe përfaqësues të kompanive të sigurimeve, por edhe zyrtarë nga Shoqëria Civile.

 Të dhënat e prezantuara rreth numrit të automjeteve të paregjistruara në raport me vitin paraprak, kanë shqetësuar tej mase pjesëmarrësit në këtë tryezë. Në raport me vitin paraprak, sivjet janë 109 mijë vetura më pak të regjistruara.

Po ashtu, gjatë tryezës u prezantuan edhe të dhëna të sakta rreth humbjeve të mëdha që po i shkaktojnë buxhetit të shtetit, por edhe Industrisë së Sigurimeve mos regjistrimi dhe mos-sigurimi i automjeteve nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2017 Policia ka shqiptuar mbi 12 mijë tiketa për automjetet që janë hasur në rrugë pa qenë të regjistruara.

Po ashtu, të njëjtat automjete kanë shkaktuar mbi 4000 aksidente, ku dhe numri i të vdekurve që janë evidentuar nga aksidentet që kanë shkaktuar këto vetura është mbi 100 persona.

Gjatë tryezës të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar që në ditët në vijim të gjitha palët që janë të përfshira në këtë proces do ta nënshkruajë një dokument të përbashkët sipas të cilit të gjitha palët e përfshira në këtë proces do të marrin përgjegjësitë e tyre për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve konkrete për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara e të pasiguruara në komunikacion rrugor.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com
AL / EN