Barra milionëshe e Komunave për qytetarët e Kosovës

7:50 / 21 Shtator 2020

Çdo vit në Kosovë regjistrohen rreth 356 mijë automjete, me ç’rast është vënë kusht që për secilën prej tyre për regjistrim duhet marrë edhe vërtetimi për Tatimin në pronë, shërbim ky që qytetarët paguajnë nga 10 euro në Komunat e tyre. Sipas një llogaritje të thjeshtë del se vetëm për t’u pajisur me një vërtetim të tillë, për të cilin Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka vlerësuar se është i padrejtë, qytetarët paguajnë rreth 4 milionë euro në vit.  Gjithë kjo pa e llogaritur edhe ndërrimin e pronësisë së automjeteve, ku sipas Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, janë rreth 95 mijë automjete që çdo vit ndërrojnë pronësinë, me ç’rast dëmi financiar që u faturohet qytetarëve nga Komunat e Kosovës shkon në rreth 15 milionë euro.

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku në një intervistë për EO ka thënë se kanë kërkuar që këto kushtëzime të hiqen. Lidhur me këtë, ai ka dërguar edhe një ankesë në zyrën e Avokatit të Popullit, për të cilën ka thënë se kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me Kushtetutën. “Ne si Shoqatë kemi marrë një iniciativë që kushtëzimet të hiqen njëherë e përgjithmonë. Lidhur me këtë kam bërë një ankesë te Avokati i Popullit, të cilën e kam arsyetuar që kushtëzimi për regjistrimin e automjeteve nuk është në pajtim me kushtetutën dhe kjo është në interes të qytetarëve që të hiqen për shkak se e lehtëson procedurën për regjistrimin e automjeteve”. Më tutje ai sqaron se, pas dorëzimit të kësaj ankese ka pranuar një njoftim për pranueshmëri, e sipas praktikën rastet që kanë bazë për hetim dhe procedurë të mëtutjeshme, Avokati i Popullit e lëshon një njoftim paraprak që lënda pranohet apo nuk pranohet.
Mazreku ka sqaruar se ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të bëhet ndryshimi i Ligjit të Automjeteve, duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët të mos e kenë kusht kryerjen e disa obligimeve. Ai tha se kanë kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. “Ne kemi kërkuar që të bëhen disa ndryshime duke filluar nga heqja e kushtëzimeve që qytetarët të mos e kenë më kusht kryerjen e disa obligimeve, mirëpo kjo nuk nënkupton që të mos paguhen taksat dhe gjobat, por jo të kushtëzohet me regjistrimin e automjeteve. Pastaj kemi kërkuar që edhe bartja e pronësisë të kthehet në gjendjen siç ka qenë më herët. Varësisht prej kohës së mbetur kemi mundësi që pjesën e bartjes së pronës ta bartim tek pronari i ri apo të kthehet, sepse rreth 95 mijë automjete çdo vit e ndërrojnë pronësinë dhe nëse e bëjmë llogarinë e thjeshtë, i bie që dëmi aktual është 15 milionë euro që bëhet në dëm të qytetarëve”.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com