Dekadë e përgjakur, 1317 të vdekur në aksidente komunikacioni në Kosovë

11:28 / 03 Gusht 2020

Në Kosovë, gjatë dekadës së fundit në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 1317 persona. Numri më i madh i të vdekurve në komunikacion është regjistruar në vitin 2010, kur shifra kishte arritur në 175, ka raportuar “iSIGURIME”.

Në fillim të dekadës së kaluar, në Kosovë, në çdo të dytën ditë kishte vdekur një person në aksidente trafiku, apo 175 të vdekur në aksidente komunikacioni më 2010.
Kjo bëhet e ditur në raportin e përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Policisë së Kosovës, sipas tw cilit numri i përgjithshëm i personave të vdekur në aksidente trafiku në Kosovë, përgjatë viteve 2010-2019, ka arritur në 1317. Sipas këtij raporti më së paku viktima në komunikacion ishin shënuar në vitin 2016, kur 110 persona kishin vdekur, ndërsa më së shumti kishte në vitin 2010, duke arritur në 175 viktima në komunikacion.

1.35 milionë njerëz vdesin çdo vit në aksidente trafiku në nivel global

Rreth 1.35 milionë njerëz vdesin mesatarisht çdo vit në aksidente trafiku. Numri i vdekjeve në botë në aksidente trafiku vazhdon të rritet nga viti në vit, ku në vitin 2016 kishin vdekur 1.35 milion njerëz. Sipas raportit të lartpërmendur, shkalla e vdekjes në krahasim me madhësinë e popullsisë në botë ka mbetur konstante.  Disa vende të botës kanë pasur sukses në zvogëlimin e vdekjeve në trafikun rrugor gjatë viteve të fundit, por progresi ndryshon dukshëm midis rajoneve dhe vendeve të ndryshme të botës. Rreziku i vdekjes në trafikun rrugor është më shumë se tri herë më i lartë në vendet me të ardhura më të ulëta se sa në vendet me të ardhura më të larta, ku shkalla mesatare është 8.3 vdekje për 100 mijë banorë. Në anën tjetër, shkalla e vdekjeve nga aksidentet rrugore në 100 mijë banorë në Kosovë është 6.3 vdekje.

406 këmbësorë vdiqën në aksidente trafiku për një dekadë

Gjatë dekadës në fundit në aksidente të ndryshme trafiku në Kosovë kanë humbur jetën 406 këmbësorë. Në vitin 2010 kishin vdekur më shumë këmbësorë në aksidente trafiku, përkatësisht 60 të vdekur, ndërsa më së paku këmbësorë kanë vdekur në vitin 2016, apo 25 të vdekur.
Sipas statistikave të institucioneve përkatëse në Kosovë, Ministrisë së Transportit dhe Policisë së Kosovës, në vitin 2010 kishin vdekur 17 këmbësor të grupmoshave 0-12 vjeç. Ndërsa në vitin 2017 kishin vdekur 11 këmbësorë të grupmoshave 13-18 vjeç.

 

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com