Guvernatori: Do ta ulim numrin e automjeteve të paregjistruara

11:40 / 30 Dhjetor 2019

Përmes ndryshimit të rregulloreve, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK),  Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar angazhim maksimal të institucionit që ai drejton për të ulur numrin e automjeteve të pasiguruara në vend. Sipas të dhënave jo zyrtare numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë llogaritet të jetë mbi 20 %, që konsiderohet si pengese serioze për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

iSIGURIME

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar se nga 1 janari i vitit që vjen BQK-ja do të angazhohet në tërësi për të ulur numrin e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë e cila sipas të dhënave jo zyrtare llogaritet të jetë mbi 20 %. Numri kaq i madh i automjeteve të pa siguruar në vend përpos që i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, njëkohësisht u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe kompanive të sigurimit, të cilat janë detyruar dhe po detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme të mjeteve për aksidentet që kanë shkaktuar ato në komunikacion. Gjithashtu, numri i madh i automjeteve të paregjistruara edhe më tutje vazhdon të konsiderohet si pengesë serioze e Kosovës për anëtarësimin në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

Sektori i sigurimeve vazhdoi ta rrisë aktivitetin sigurues

Sipas guvernatorit, sektori i sigurimeve vazhdoi ta rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milion euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1%. “Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore  prej 7.3%. Raporti ndërmjet dëmeve të paguara dhe primeve të pranuara arriti në 51.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ky raport ishte 51.1. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po angazhohet në vazhdimësi për të siguruar trajtimin korrekt të dëmeve nga kompanitë e sigurimeve”, ka thënë më tutje ai.

Tarifat u përshtatën

Më tutje guvernatori ka sqaruar se me qëllim të mbrojtjes së palëve të dëmtuara prej të siguruarve nga auto-përgjegjësia dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të sektori të sigurimeve, BQK-ja ka përshtatur tarifat e Kategorisë I për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë të cilat ishin të pandryshuara që nga vitit 2001. “Studimi aktuarial nga kompanitë e sigurimit, ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport, por në të njëjtën kohë ka vlerësuar se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018, i korrigjuar për ndryshimet e reflektuara me Ligjin për të Ardhurat e Korporatave, në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë”, ka thënë më tutje ai. ( Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com