Guvernatori: Vetëm gjatë vitit 2019 u paguan mbi 55 milionë euro dëme

9:58 / 25 Maj 2020

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti,  në një interviste për Radio Televizionin “Dukagjini” ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2019 kompanitë e sigurimeve së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve kanë paguar dëme  mbi 55 milionë euro. Bazuar në të dhëna zyrtare kjo është shifra më e lartë e dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar brenda një vitit që nga konsolidimi e deri më tash

Vetëm gjatë vitit 2019 kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë paguar më shumë se 55 milionë euro dëme, shifër kjo më e larta e paguar brenda një vitit që nga konsolidimi i sektorit e deri më tash. Vlera e dëmeve edhe më tutje vazhdon të jetë tejet e lartë, pavarësisht se kompanitë e sigurimeve tash e sa vjet ballafaqohen me një problem në rritje, atë të numrit të automjeteve të paregjistruara në vendin tonë i cili ka kaluar shifrën prej më shumë se 150 mijë, apo mbi 30 % të automjeteve të përgjithshme që gjenden në vend. Gjatë vitit që lamë pas në konferencën e fundvitit, guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti kishte paralajmëruar “lufte” ndaj automjeteve të paregjistruara, por punën në këtë drejtim e ngadalësoi pandemia COVID-19, e që solli edhe rritje më të madhe të numrit të automjeteve ta paregjistruara në vendin tonë. Edhe drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku ka thënë se dëmet nga numri në rritje i automjeteve të paregjistruara janë shumë dimensionale, si për Institucionet, ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve, por sipas tij këto të fundit detyrohen të paguajnë mjete edhe për ato automjete të cilat shkaktojnë aksident e kompanitë nga to nuk marrin asnjë euro prim, raporton “iSIGURIME”

Mehmeti: Sektori i sigurimeve është afektuar më së shumti nga pandemia

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti  në një interviste për Radio Televizionin “Dukagjini” ka thënë se sektori i sigurimeve në Kosovë më së shumti është afektuar nga pandemia COVID-19. “Realisht ka filluar të konsolidohet sektori i sigurimeve, pasi që gjatë vitit 2019 vlera e aseteve ka arritur në 193 milionë euro. Ai më tutje ka bërë të ditur se vlera e primit të shkruar bruto gjatë vitit që lamë pas ka arritur në 99,2 milionë euro, me një rritje prej 7 % në baza vjetore. “Vetëm gjatë vitit 2019 kompanitë e sigurimeve së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve kanë paguar dëme mbi 55 milionë euro”, ka bërë të ditur ai. Më tutje guvernatori Mehmeti ka bërë të ditur se BQK-ja do të ketë zero kompromis sa i përket pagesës së dëmeve.

Mazreku: Pagesa dëmeve do të rritet në vazhdimësi

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku thotë se pagesa e dëmeve për aksidentet e shkaktuara do të rritet në vazhdimësi. Sipas tij, gjatë këtij viti kompanitë kanë vazhduar pagesat më një intensitet të lartë pavarësisht se pasojave që iu ka sjell atyre pandemia COVID-19. “ Secila kompani e bën të pamundurën që në një kohë sa më të shpejt të bëjë kompensimin e dëmit. Kjo është parë edhe sivjet ku gjatë  tre mujorit të parë të këtij viti janë paguar më shumë se 13 milionë euro dëme” ka bërë të ditur drejtori Mazreku.

Pagesat e dëmeve në tre vitet e fundit

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se kompanitë e sigurimeve pa përfshirë Byronë Kosovare të Sigurimeve gjatë periudhës janar – dhjetor 2019, kanë paguar gjithsej 51,325,378 euro dëme ose 16.35% më shumë se gjatë periudhës janar – dhjetor 2018. Gjithashtu, duke iu referuar të dhënave zyrtare edhe gjatë periudhës janar – dhjetor 2018, janë paguar dëme gjithsej 44,112,734 euro ose 1.20% më shumë se gjatë periudhës janar – dhjetor 2017, derisa gjatë periudhës janar – dhjetor  2017, janë paguar gjithsej  dëme 43,591,572 euro ose 15.81% më shumë krahasuar me periudhën janar – dhjetor 2016. Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa me kohe e dëmeve është prioritet i secilës kompani që operon në vendin tonë. Ai më tutje tregon se kompanitë janë duke bëre pagesa të dëmeve edhe tash, ndonëse të hyrat nga shitja e policave janë përgjysmë më të ulëta.

51,325,378 euro është shuma e dëmeve që vetëm kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjatë periudhës janar-dhjetor 2019.

16.35% është rritur pagesa e dëmeve gjatë vitit 2019 në raport me vitin paraprak

44,112,734 është shuma e dëmeve që vetëm kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjatë periudhës janar-dhjetor 2018.

1,2 % është rritur pagesa e dëmeve gjatë vitit 2019 në raport me vitin paraprak

43,591,572 euro është shuma e dëmeve që vetëm kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjatë periudhës janar-dhjetor 2018.

15.81% është rritur pagesa e dëmeve gjatë vitit 2019 në raport me vitin paraprak.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com