Mediet për pasojat e COVID 19 në Industrinë e sigurimeve

8:02 / 16 Prill 2020

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku gjatë javës së kaluar në të gjitha mediet nacionale dhe ato lokale në vend ka folur për pasojat që po shkakton COVID 19 në Industrinë e Sigurimeve

KLAN KOSOVA

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku në një intervistë për Klan Kosova ka thënë se pandemia ka ndikuar negativisht në Industrinë e sigurimeve. Sipas tij, ditëve të fundit shitja e polisave ka rënë pothuajse në pikën zero. “Kemi një fenomen internate. Në rrugë është rritur qarkullimi i automjeteve, deri sa në anën tjetër nuk ka shitje të polisave. Ne gjatë ditëve të fundit kemi nisur një kampanjë vetedijesuese, ku iu kemi treguar qytetareve që dalja në komunikacion pa polisa ka pasoja të mëdha për ta”, ka thënë Mazreku.

EKONOMIAONLINE

Siguroni automjetet, s’mund të lëvizni pa polisa

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, i ka lutur shoferët që të mos dalin në trafik me automjete të pasiguruara.  Edhe pse është kërkuar mirëkuptim nga Policia që shoferët të mos dënohen në këtë kohë të pandemisë, ata po dënohen për mungesë të sigurimit. Ai ka kërkuar mirëkuptim nga shoferët sepse çdo dëm që shkaktohet duhet të paguhet nga kompanitë e sigurimeve. Ai ka deklaruar se në momentin kur ka filluar situata me virusin Korona, në bazë të të dhënave të njësisë së Punëve të Brendshme kanë qenë rreth 148 mijë automjete të pasiguruara, 356 mijë të regjistruara. Përkundër kësaj,  Mazreku ka thënë se ende nuk dihet numri i saktë i automjeteve të tilla që janë në qarkullim. Në një intervistë për “Ekonomia Online”,  drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku tha se: “Ish-Ministri i Punëve të Brendshme ka kërkuar nga Policia që të ketë mirëkuptim sa i përket pjesës së regjistrimit. Kjo nuk do të thotë që shoferët në Kosovë do të mund të lëvizin pa sigurim, sepse policia është duke i gjobitur qytetarët të cilët nuk e kanë automjetin të siguruar. Dëmet i paguan kompania e sigurimeve”,  u shpreh Mazreku.

 TELEGRAFI

Pandemia e COVID-19 po e dëmton sektorin e sigurimeve, mos dilni në rrugë pa sigurimin e automjeteve.

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku thotë se pandemia e virusit Korona e ka dëmtuar sektorin e sigurimeve dhe se kjo periudhë mund ta përkeqësojë situatën. Ai në një intervistë për Telegrafin, apelon që të mos dilet në rrugë pa sigurimin e automjeteve.

Mazreku tregon se kompanitë e sigurimeve janë duke punuar gjashtë orë në ditë në mënyrë që të ofrohen shërbimet e kërkuara nga qytetarët. Në pyetjen se si po ndikon pandemia në industrinë e sigurimeve, ai ka thënë: “Si në çdo biznes tjetër në vend, pandemia e virusit Korona e ka dëmtuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve në vend, pasi numri i polisave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë në minimum, derisa në anën tjetër në rrugë kemi mjaft automjete që po qarkullojnë, madje edhe pa regjistrim fare. Rritja e numrit të automjeteve të pa siguruara në këtë fazë edhe më shumë e keqëson situatën, pasi që aksidentet që shkaktojnë ata sipas ligjit në fillim duhet të kompensohet nga Fondi i Sigurimit, i cili mirëmbahet nga kompanitë e sigurimit, deri sa më vonë kompanitë kërkojnë rimbursim nga shkaktari i aksidentit”.

RTK

Mazreku: Kompanitë e Sigurimeve punojnë gjashtë orë në ditë, siguroni automjetet e juaja

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka thënë se edhe pse situata është rënduar nga pandemia e virusit Korona, sigurimi i automjeteve në Kosovë vazhdon dhe të gjitha kompanitë e sigurimeve janë të hapura në gjithë vendin. “Të gjitha kompanitë e sigurimeve janë duke ofruar të gjitha shërbimet për të cilat janë licencuar, në pajtim me vendimet dhe rekomandimet e institucioneve shtetërore në vend. Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që për lëvizjen me automjete gjatë kësaj periudhe ta blejnë sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia – sigurimin TPL, ndërsa procedurat e regjistrimit të automjeteve do t’i kryejnë në një kohë më vonë në cilëndo komunë që ta kenë më afër, konform vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i respektojnë vendimet e organeve kompetente për ta ruajtur shëndetin dhe për ta shpëtuar jetën e më të dashurve tanë”, tha Mazreku sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). “Të gjithë ata klientë që dalin në qarkullim duhet t’i sigurojnë automjetet. Pas datës 27 mars ka lëvizje të shumta të automjeteve sikur me qenë gjendje normale. Ne apelojmë te qytetarët që të mos dalin pa sigurim në rrugë. Nuk janë të obliguar ta paguajnë taksën komunale. Marrja e sigurimit ka të bëjë me sigurinë e tyre”, tha ai. Ai ka përmendur edhe rastin e fundit të një aksidenti fatal që ndodhi ditë më parë në rrugën për  në Ferizaj. “Në aksidentin e fundit me pasoja fatale që ndodhi afërsi tw Ferizajit, në të cilin humbën jetën tre persona, njëra ndër veturat nuk kishte sigurim. Qytetarët duhet të dinë se të gjitha dëmet që bëhen paguhen nga Fondi i kompensimit që paguhet direkt nga kompanitë e sigurimeve. Mirëpo këto mjete më vonë do t’i kërkohen fajtorit”, tha ai. Mazreku ka apeluar që ata që dalin mos të hezitojnë dhe të shkojnë në pikat e kompanive.

TELEVIZIONI I PRIZRENIT

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një prononcim për TV Prizreni, tha se pas ndryshimit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve me 27 mars, është vërejtur fluks më i madh i veturave në qarkullim, dhe shqetësues është fakti se a janë të siguruara të gjitha automjetet apo jo në këtë kohë pandemie. Për këtë çështje, thotë më tej drejtori Mazreku, i jemi drejtuar MPB-së, dhe apelojmë që të gjithë ata klientë që dalin në qarkullim duhet të sigurojnë automjetet e tyre. Drejtori Mazreku tregon edhe për sfidat që janë të pranishme në kohën e pandemisë në Qendrat e Sigurimeve, ku janë të përfshirë rreth 5 mijë të punësuar në nivel vendi në mënyrë direkte dhe atë indirekte. Ndryshe, të gjitha kompanitë e sigurimeve janë te hapura në gjithë vendin, theksoi në fund drejtori Mazreku.

TV T7

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku, në një inkuadrim live përmes skype në T7 ka thënë se gjatë kësaj kohe është një fluks i madh i qytetareve në trafik, deri sa në anën tjetër ka shumë pakë ka shitje. “krejt ajo çka duhet tash me dalë në trafik është një polic e sigurimit. “Zyrat e kompanive janë duke punuar nga ora 9:00 deri në orën 15:00” ka thënë ai.

TV LIRIA

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku për Televizionin Liria ka thënë se edhe në Ferizaj po vërehet një fluks i madh i qytetareve në komunikacion. “Mos dilni pa sigurim sepse demet si për ju si për pjesëmarrësit tjerë janë të mëdha” ka apeluar ai.

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com