Muajt e kthesës për industrinë e sigurimeve të Kosovës

7:24 / 24 Gusht 2019

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka vlerësuar se brenda katër muajve të fundit janë marrë vendime shumë të rëndësishme për industrinë e sigurimeve, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Miratimi i Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave në Kuvendin e Kosovës në korrik të këtij viti, si dhe shfuqizimi i Ligjit diskriminues mbi Kryqin e Kuq nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në mars po të këtij viti, kanë hapur një etapë të re për sektorin e sigurimeve në vend. Kështu ka vlerësuar në një intervistë Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës. Sipas tij, këto dy vendime që janë marrë brenda një periudhë katër mujore e bëjnë edhe më atraktiv sektorin e sigurimeve për investitorët e huaj, duke ndikuar kështu pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ka folur edhe për nevojën e uljes së numrit të veturave të pasiguruara në komunikacion, si dhe për masat që po ndermirën për uljen e numrit të aksidenteve me fatalitet dhe me të lënduar.

 Etapë e re për sigurime

Mazreku, javë më pare Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin mbi të ardhurat në Korporata për të cilin ka pasur ankesa të shumta nga industria e sigurimeve të Kosovës. Çka e ndihmon konkretisht ky Ligj industrinë e sigurimeve?

Mazreku: Siç edhe jeni të informuar, gjatë muajit korrik Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin mbi të ardhurat e Korporatave, duke i dhënë kështu fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës dhe duke e hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Industria e sigurimeve të Kosovës është detyruar me vite të tëra të paguaj tatim ekstra në qarkullim prej 5 për qind, pagesa e të cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve me mbi  60 milionë euro. Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër, përpos kompanive të sigurimeve, në Republikën e Kosovës. Tashmë është pranuar edhe nga Rregullatori, pra Banka Qendrore e Kosovës, se për shkak të tatimit ekstra prej 5 për qind, për shkak të 1 përqindëshit që kanë paguar kompanitë e sigurimeve për Kryqin e Kuq të Kosovës, kompanitë e sigurimeve për vite të tëra kanë operuar me humbje. Gjatë dy viteve të fundit industria e sigurimeve në Kosovës është duke performuar me fitime, përderisa me miratimin e këtij Ligji kjo industri do të ketë mundësi të zhvillohet edhe më tej.

Çfarë kontributi ka dhënë Shoqata që ju e drejtoni në miratimin e këtij Ligji?

Mazreku: Shoqata e Sigurimeve të Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën e mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019, përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës. Përpos punës që ka bërë Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, për të ardhur deri në këtë fazë është dashur edhe një angazhim i madh i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, ministrit të Financave, z. Bedri Hamza, Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës etj.

 Mbi 60 milionë euro humbje nga sigurimet

Industria e sigurimeve ka qenë e vetmja që ka paguar tatim ekstra në qarkullim derisa nuk u miratua Ligji mbi të ardhurat e korporatave. A keni një shifër sa është dëmtuar industria e sigurimeve përgjatë dekadës së fundit?

Mazreku: Siç e cekëm edhe më lart, kompanitë e sigurimeve janë dëmtuar për mbi 60 milionë euro nga pagesa e këtij tatimit ekstra prej 5 për qind, tatim ky që nuk është paguar nga asnjë biznes tjetër në Republikën e Kosovës. Përpos kësaj barre të madhe financiare për këtë industri, ky tatim e ka dëmtuar rëndë edhe mjedisin e të bërit biznes në Kosovë, pasi që ky model i tatuarjes ka qenë barrë edhe për investitorët e huaj, të cilët kanë qenë të interesuar që kapitalin e tyre financiarë ta investojnë në këtë fushë.

 Shfuqizimi i nenit diskriminues nga Kushtetuesja

Muaj më parë ju keni fituar rastin në Gjykatë Kushtetuese të Kosovës pas ankesës për pagesën e 1% nga industria e sigurimeve për Kryqin e Kuq të Kosovës. Me çfarë arsyetimi e bazuat ankesën tuaj për të cilën ju dha të drejtë Kushtetuesja?

Mazreku: Në fund të muajit mars të këtij viti Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar paragrafin 1.7 të Nenit 14 të Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Një vendim të tillë Kushtetuesja e ka marrë pas ankesës time si drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, duke u ofruar dëshmi të bollshme se një praktikë e tillë kohë më parë ishte cilësuar si antikushtetuese edhe nga Gjykata e Kroacisë. Përmes këtij neni, të cilin në mars të këtij viti e ka shfuqizuar Kushtetuesja, kompanitë e sigurimeve kanë qenë të obliguara që nga 1 për qind e primit nga shitja e Policave të Sigurimit t’i ndajnë për Kryqin e Kuq të Kosovës. Por, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim se ky Ligj nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e përgjithshme), si dhe nenin 46 (Mbrojtja e pronës) të Kushtetutës. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ka korrigjuar edhe një padrejtësi dhe një diskriminim që i është bërë industrisë së sigurimeve në vend.

 Vite më parë industria e sigurimeve ka performuar me bilanc negativ. Sa e ndihmojnë këto dy vendimet e fundit, Ligji mbi Korporatat dhe mospagesa e 1 % për Kryqin e Kuq, këtë industri?

Mazreku: Sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur një performancë të kënaqshme si rezultat i disa faktorëve, përfshirë këtu tatimin në qarkullim prej 5 për qind, dëmet që po i shkaktojnë automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit industria e sigurimeve ka performuar me fitime. Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë realizuar fitim prej rreth 150 mijë euro, ndërsa me miratimin e Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave sektori i sigurimeve do të performojë edhe më mirë, ku efektet e tij do të shihen në pjesën e dytë të këtij viti.

 Si e shihni rolin e Bankës Qendrore të Kosovës në zhvillimin e sektorit të sigurimeve?

Mazreku: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në krye me guvernatorin Fehmi Mehmeti, ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e sektorit të sigurimeve, ku si rezultat i disa masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja, kompanitë e sigurimeve kanë filluar të performojnë pozitivisht. Pa ndërmarrjen e masave të tilla, pa ndryshimet e domosdoshme ligjore, kjo industri me siguri se nuk do të kishte një performancë të tillë siç e ka edhe gjatë viteve të fundit. Performanca me humbje e kësaj industrie është e disfavorshme dhe jo atraktive edhe për investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në këtë sektor, prandaj është dashur një mobilizim i përgjithshëm për ta ndryshuar situatën për të mirë.

 Masat për uljen e aksidenteve me fatalitet dhe numrit të veturave të pasiguruara

 Vetëm gjatë 5 mujorit të parë të këtij viti janë raportuar mijëra aksidente në komunikacion, me ç’rast më shumë se 30 qytetarë kanë humbur jetën. A keni diskutuar me drejtuesit e institucioneve kompetente se si të ulet ky numër i aksidenteve në trafik?

Mazreku: Shoqata e Sigurimeve të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Infrastrukturës nga gjysma e dytë e vitit që lamë pas, vazhdimisht ka organizuar aktivitete të ndryshme, të cilat si qëllim e kanë uljen e numrit të aksidenteve me fatalitet në komunikacion, por edhe të aksidenteve me lëndime të lehta dhe të rënda. Fushatat e tilla senzibilizuese kanë pasur efektin e vet pozitiv në uljen e numrit të aksidenteve në komunikacion, por është ende e dhimbshme kur shikohet numri i qytetarëve që humbin jetën në aksidente të ndryshme në komunikacion. Vitin e kaluar është raportuar se numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie krahasuar me vitin 2017, por duhet angazhuar bashkërisht që ky numër të ulet në vazhdimësi. Kryesisht, aksidentet ndodhin nga mospërshtatja e shpejtësisë së mjetit motorik me kushtet e rrugës, që nënkupton tejkalimin e shpejtësisë dhe drejtimin e pasigurt të mjetit motorik nga drejtuesit. Në zvogëlimin e numrit të aksidenteve në komunikacion, duhet të marrin veprime konkrete disa akterë të caktuar, përveç institucioneve shtetërore edhe organizatat përkatëse që kanë interes në uljen e numrit të aksidenteve. Si shembull, ndër veprimet që mund të marrin institucionet shtetërore është ngritja e nivelit të kalueshmërisë së provimit për patentë shofer, rregullimi dhe rehabilitimi i rrugëve, sidomos ato magjistrale kur e dimë se jo të gjitha qytetet janë të lidhura me autostrada, si dhe sinjalistika në rrugë në vendet që vlerësohen me rrezikshmëri të lartë. Në këto vende, mund të vlerësohet po ashtu edhe instalimi i kamerave statike për matjen e shpejtësisë që gjenerojnë mjetet motorike si dhe shtimi i patrullave dhe kontrolleve policore. Po ashtu, si veprime dhe aktivitete të përbashkëta me përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve, institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi rrezikun e ngasjes së mjetit në mënyrë të pasigurt dhe pasojat e parikuperueshme që mund të sjellin ato. Vlerësoj se jo të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve motorike janë mjaftueshëm të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ata kanë me rastin e pjesëmarrjes në komunikacion dhe pasojat që ata mund të shkaktojnë apo pësojnë nga neglizhenca e treguar në rastet e caktuara.

 Më herët jeni ankuar për numër të madh të automjeteve të pasiguruara që lëvizin në komunikacion. A janë marrë masa për uljen e këtij numri?

Mazreku: Humbjet monetare nga mosregjistrimi dhe mossigurimi i mjeteve motorike është shumë i lartë dhe ndryshon nga viti në vit. Afërsisht, industria e sigurimeve, në vlerë vjetore paguan rreth 4-5 milion euro shpërblime të dëmeve për aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike që nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, ndërsa shumë po kaq të përafërt humb edhe buxheti i shtetit për shkak të mospagesës së taksave rrugore dhe mosvazhdimit të regjistrimit të mjetit motorik. Përkundër mospagesave, një numër i lartë i mjeteve motorike qarkullojnë në komunikacion pa paguar taksat për përdorimin e rrugëve, e që ky numër varion nga 25% deri në 30% e numrit të tërësishëm të mjeteve motorike sa janë në Republikën e Kosovës. Shoqata e Sigurimeve të Kosovës është duke punuar ngushtë me të gjitha institucionet kompetente në Republikën e Kosovës që ky numër i automjeteve të pasiguruara të zbres në shifra minimale.

 

 

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com
AL / EN