Roli i sigurimeve në zhvillimin ekonomik

10:46 / 07 Gusht 2016

Zakonisht vëmendje e konsiderueshme në zhvillimin ekonomik i kushtohet tregut financiar në të cilin vend të rëndësishëm kanë edhe sigurimet. Në këtë aspekt tregu finaciar më tepër ka të bëjë dhe është i koncentruar në sistemin bankar dhe letrat me vlerë, përderisa sigurimet në këtë aspekt marrin një vëmendje më të vogël por jo të parëndësishme.

Edhe përkundër faktit se sigurimet janë ngushtë të lidhura si me sistemin bankar ashtu edhe me sistemin e letrave me vlerë, ato e përmbushin një funksion tjetër ekonomik për dallim nga shërbimet e tjera financiare, dhe si të tilla sigurimet kërkojnë kushte të veçanta për të dhënë kontribute të plota në zhvillimin ekonomik.

Faktet tregojnë se sigurimet kontribuojnë materijalisht në zhvillimin ekonomik duke e përmirësuar klimën e investimeve dhe duke promovuar një llojllojshmëri të aktiviteteve të cilat do të ndërmirreshin në mungesë të sigurimeve apo instrumenteve të menaxhimit të riskut. Disa studime tregojnë se sigurimet kontribuojnë në nivele të ndryshme të zhvillimit ekonomik përmes kontratave të sigurimit.

Kontratat e sigurimit në vete përfshijnë një pagesë periodike, e cila në kthim ofronë një mbrojtje kundër humbjeve të papritura të cilat mund të ndodhin në të ardhmen. Mes tjerash këto pagesa (të hyra) ndihmojnë në mënjanimin e humbjeve të mëdha, bankrotimin e bizneseve apo edhe pasurive individuale, si dhe ju lehtësojnë atyre marrjen e huave.

Kontratat e sigurimit ju mundësojnë individëve dhe bizneseve të cilët kanë frikë nga rreziku të ndërmarrin një rrezik më të madh, të cilat më pastaj do ti sjellnin përfitime më të mëdha, dhe produktivitet më të lartë.

Sigurimet po ashtu kontribuojnë në ekspertizat e identifikimit dhe matjes së rrezikut, të cilat rezultojnë në një ekonomi më të kontrolluar, duke u mundësuar bizneseve që burimet dhe apo aktivitetet e tyre biznesore ti alokojnë në një përdorim më produktiv.

Sigurimet po ashtu janë edhe një stimulues në kontrollimin e humbjeve të papritura, duke pasur  një përfitim të konsiderueshëm social dhe ekonomik.

Pra sigurimet nga sa mund të shihet më lartë dhe jo vetëm, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillim ekonomik duke ju mundësuar individëve dhe bizneseve që ti alokojnë aktivitetet e tyre në produktivitete më të larta, duke e pasur prapa vetes një siguri të cilën e ofrojnë kompanitë e sigurimeve përmes kontratave të sigurimit në rastet kur këta individ apo biznese mund të pësojnë një humbje të papritur.

 

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës

Rreth Nesh

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës – është themeluar në Prill të vitit 2002, në bazë të marrëveshjes së Kompanive të Sigurimit të cilat janë të liçensuara për ta ushtruar aktivitetin e tyre të Sigurimeve në Kosovë.

Adresa

Sheshi Nene Tereza, 34/3 Prishtine 10000 Republika Kosovës (038) 225 678 info@shs-ks.com